Header Sitemap Forumi Kontakt

Për çfarë të studioj ?

Një shkrim për nxënësit të cilët përgatiten të ulen në auditoret e Universitetit, si dhe për edukatorët dhe prindërit e tyre.

Përgatitur nga Aleksandër Bojaxhi, Mjeshtër i Edukimit.

Ky shkrim është përgatitur së pari për nxënësit të cilët kanë synime për të vazhduar studimet e larta. Ky shkrim është i vlefshëm edhe për këdo të rritur, sidomos për prindërit, e veçanërisht për ata prindër të cilët mendojnë se fëmija e tyre duhet të dalë gjithë dhjeta në shkollë(!). Njëherësh besoj se mësuesit, si dhe kushdo që ka moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart dhe dëshiron të vazhdojë më tej shkollimin e tij/saj, do të mësojnë nga ky shkrim ngase njohuritë që u përcjell do u vlejnë në mësimdhënie apo në rrugën e shkollimit.

Në jetën tonë shpesh na nevojitet të marrim vendime dhe nuk janë të pakta rastet që në marrjen e tyre nisemi nga ndjenjat, nga bota jonë emocionale, duke lënë mënjanë llogjikën për rastin.  Nuk na mungojnë shembuj personalë që ilustrojnë faktin që vuajmë rezultatet e gabuara të vendimit (emocional) të marrë.  Ky shkrim ndihmon që në marrjen e vendimit për edukim universitar të mbështetemi edhe në llogjikën e aftësive që kemi ndërtuar në jetë e në bankat e shkollës.

Me raste, në jetë duhet të marrim edhe vendime të një rëndësie të veçantë.  I tillë është rasti kur do të aplikojmë për të vazhduar studimet universitare.  Nuk janë të pakta rastet që ky vendim merret duke u bazuar tek dega që është në “modë”, ose tek të dhënat e tregut të punës, ose tek mundësitë që kanë të afërmit ose prindërit për të ndihmuar për të siguruar vend pune pas përfundimit të studimeve, etj.  Unë do i quaj sa më sipër faktorë të jashtëm në marrjen e vendimit për studime universitare.  Ndonëse këta faktorë kanë peshën e tyre, mendoj se peshën më të madhe në marrjen e vendimit duhet ta ketë aftësia dhe prirjet e individit (nxënësit) për të qënë arritës në një fushë të caktuar të jetës.  Ky material mundëson studentin e pritshëm që të mësojë se ku i ka anët e forta e ku anët e dobëta të aftësive dhe prirjeve intelektuale.  Kjo njohje e mundëson studentin e ri të zgjedhë degën që i përshtatet dhe gjatë viteve studentore të ndjejë që dega e zgjedhur është e “lehtë”, ngaqë do të studjojë atë që e tërheq natyrshëm, nga brënda qënies së tij/saj.  Kjo njohje e bën studentin më efektiv në studim dhe jetën studimore më të gëzuar në aspektin akademik.

Inteligjenca

Shoqëria jonë (dhe përgjithësisht kultura Perëndimore) favorizon aftësitë linguistike, logjiko-matematike dhe intrapersonale të njeriut ndërkohë që ka kultura të tjera të cilat favorizojnë të tjera aftësi.  Kështu, ka kultura që çmojnë në rradhë të parë aftësitë muzikore dhe trupore-lëvizore, ka kultura që vlerësojnë në rradhë të parë aftësitë hapsinore apo ato natyralistike, etj.
Një person me shkollim të lartë nga kultura jonë e me inteligjencë superiore linguistike ose matematiko-logjike mund të jetë në disavantazh të vërtetë në mes të Eskimezëve ose Tibetjanëve.  Është domethënëse anekdota e profesorit dhe varkëtarit për të konkretizuar nevojën e zhvillimit të të gjitha inteligjencave (apo aftësive) që përmban kapaciteti njerëzor.  Le ta kujtojmë: një profesor duke biseduar me një varkëtar që po e voziste për në breg, mori vesht se ky nuk kish qenë kurrë në shkollë dhe i tha se “kish çuar dëm gjysmën e jetës”.  Mbas pak u ngrit një erë e fortë edhe e paparashikuar.  Erdhi dhe momenti kur varka po mbytej.  Varkëtari e pyeti profesorin nëse dinte not.  “Jo”, u përgjegj ai.  “Me vjen keq të të them zotni”, i tha varkëtari, “por ju pas pak keni për të humbur jetën.”

Në mendjen e mjaft prej nesh kuptimi i fjalëve i zgjuar dhe inteligjent për një fëmijë, apo edhe të rritur, shpesh kanë të njejtin kuptim.  Nëse shohim një fjalor të gjuhës shqipe, aty do të na spjegohet se i/e zgjuar d.m.th. që është i hollë e i shkathët nga mendja, që i kap gjërat, ndërsa për inteligjent nuk gjejmë spjegim.  Në mjaft fjalorë të gjuhëve të huaja të dy këto fjalë mbulojnë, spjegojnë, njëra tjetrën.  Në këtë libër fjala i/e zgjuar do të këtë kuptimin e dhënë si më sipër por me inteligjencë ne do të kutojme më fort një zgjuarsi e cila është zhvilluar me tej nëpërmjet edukimit dhe e mbështetur nga ambjenti kulturor ku zhvillohet ky edukim.  Fjala që do i afrohet më shumë këtij kuptimi do të jetë fjala aftësi.

Dijetarë të ndryshëm në fushën e edukimit e përkufizojnë inteligjencën në bazë të filozofisë të cilës i besojnë dhe kështu mbi të edhe ndërtojnë punën e tyre kërkimore e studimore.  Në faqet që vijojnë do u paraqitet koncepti i inteligjencës i mbështetur në teorinë e Inteligjencave të Shumëfishta (IS), të publikuar për të parën herë nga H. Gardner mbi bazën e studimeve e përgjithësimeve të kryera prej tij si dhe studimeve të  kolegëve të tij.
H. Gardner thotë se shoqëria jonë si rregull merr në konsideratë vetëm dy a tre nga tetë llojet e inteligjencave kur vjen fjala për të diskutuar se kush është i zgjuar.  Ne shohim për persona gjuhësorë (me aftësi në gjuhë) që lexojnë e shkruajnë mirë; ne shohim për një mendimtar llogjik i cili arsyeton në mënyra të kjarta e të lidhura si dhe, me raste, për persona me inteligjencë vehtiake të mirë.  Porse ne kemi akoma të tjera forma inteligjence njëlloj të vlefshme.  E çfarë duhet të themi rreth njerëzve të cilët këndojnë ose vallzojnë mirë?  Ose atyre që pikturojnë, vizatojnë, shpikin, interpretojnë ose gdhendin?  E çfarë duhet te themi rreth individëve që janë liderë ose kanë intuidë të mirë?  Këta persona thuajse nuk përfillen në diskutimet rreth inteligjencës superiore.
Kjo mospërfillje intelektuale vjen e zë vend jo vetëm në shoqëri por edhe deri në klasën mësimore, sepse shkolla jonë çmon kryesisht aftësitë gjuhësore dhe matematiko-logjike.  Fëmijët me talent në këto fusha dalin, si rregull, mirë në shkollë.  Porse fëmijët me aftësi e shprehi të dobta verbale ose llogjikë shpesh mbeten në klasë edhe sikur të kenë aftësi të larta në më shumë se një nga inteligjencat e tjera.  Modeli i paraqitur më poshtë do na mundësojë për të parë në tërë kuadrin e potencialit të aftësive (inteligjencave) të një personi, që kështu këto aftësi të neglizhuara të zhvillohen dhe nderohen po n’atë masë sikundër inteligjencat gjuhësore dhe matematiko-llogjike.

Gardner e përkufizon inteligjencën si:

* aftësi për të zgjidhur problema që personi ndesh në jetën e vërtetë.
* aftësi për të krijuar problema të reja që kërkojnë zgjidhje.
* aftësi për të bërë diçka ose për të afruar një shërbim që është i vlerësuar brënda kulturës së individit.

Ky përkufizim i inteligjencës nënvizon faktin se ajo nuk është një cilësi mendore e dhënë një herë e përgjithmonë: duke e parë atë si aftësi, d.m.th. se ajo shihet si një mundësi e pandërprerë zhvillimi, gjatë gjithë jetës së individit.  Njëherësh kjo qasje ndaj inteligjencës flet për natyrën shumë kulturore të njohjes njerëzore.
Kjo teori e sheh inteligjencën njerëzore të përbërë nga tetë inteligjenca të veçanta, të cilat janë mjete për të nxënë, për të zgjidhur probleme në jetë dhe për të krijuar, të cilat çdokush nga ne i pëdor në masa të ndryshme në jetën e përditëshme.  Ato përcaktohen si më poshtë:

Inteligjenca gjuhësore.  Konsiston nga aftësia për të menduar me fjalë dhe për të përdorur gjuhën për të shprehur dhe vlerësuar mendime.  Autorët e librave, poetët, gazetarë, folësit (spíkerët), transmetuesit e radios e TV, etj., çfaqin shkallë të lartë të inteligjencës gjuhësore.
Inteligjenca matematiko llogjike.  Kjo inteligjencë na mundëson të kalkulojmë, të vlerësojmë nga ana sasiore, të konsiderojmë pohimet e hipotezat si dhe të kryejmë veprime matematike.  Shkencëtarët, llogaritarët, inxhinjerët, programuesit kompjuteríkë, si dhe të tjerë profesionistë, të gjithë këta e demonstrojnë në shkallë të lartë këtë inteligjencë.

Inteligjenca hapsinore.  Kjo shpreh (dhe njëherësh rrënjos) aftësinë për të menduar në mënyrë tre dimensionale sikundër bëjnë në mënyrë të veçantë marinarët, pilotët, skulptorët, piktorët dhe arkitektet.  Ajo e aftëson personin për të nuhatur (marë me mend) shembëlltyra të brendëshme e të jashtëme, për të rikrijuar, transformaur, ose modifikuar imazhet, për të drejtuar vehten dhe objektet nëpër hapësirë dhe të prodhojnë ose deshifrojnë informacionin që jepet nga grafikët.
Inteligjenca kinestetike trupore.  Kjo e aftëson personin (si dhe e mundëson) të përdorë objektet si dhe të kryejë veprime të stërholluara fizike.  Është e dukëshme në mënyrë të veçantë në atletë e sportistë, vallëzues, kirurgë dhe artizanë.  Në shoqëritë Perëndimore (sikundër edhe në elitat intelektuale të Shqiptarëve) nuk është e vlerësuar aq lart sa inteligjencat e mësipërme ndërkohë që në vende të tjera aftësia për të përdorur trupin është një domosdoshmëri për të mbijetuar si dhe një tipar i rëndësishëm për shumë role presticioze në shoqëri.
Inteligjenca muzikore.  Është e dukëshme në individë të cilët zotërojnë një ndjeshmëri ndaj intonimit, tonit të zërit, melodisë, ritmit dhe tonit në përgjithësi.  Profesionistët që e demonstrojnë këtë inteligjencë në nivele më të larta përfshijnë kompozitorët, dirigjentët, muzikantët, kritikët e muzikës, bërësit e instrumentave si dhe dëgjuesit e ndjeshëm të muzikës.
Inteligjenca ndërvehtiake.  Është aftësia për të kuptuar dhe ndërvepruar në mënyrë efektive me të tjerët.  Është veçanërisht e zhvilluar tek mësuesit e suksesëshëm, punonjësit socialë, aktorët, politikanët.  Ashtu sikundër kultura Perëndimore ka filluar kohët e fundit të rikonsiderojë lidhjet midis mendjes dhe trupit, po kështu, ajo ka filluar të vlerësojë edhe rëndësinë ose mjeshtërinë në sjelljet ndërvehtiake.

Inteligjenca vehtiake.  Kjo i referohet aftësisë për të ndërtuar një përceptim për vehten dhe të përdorë këtë në planifikimin dhe drejtimin e jetës personale.  Disa njerëz me inteligjencë vehtiake të mirë specializohen si teologë, psikologë apo filozofë.
Inteligjenca natyraliste.  Konsiston ne vëzhgimin e modeleve a ligjësive në natyrë, duke identifikuar dhe klasifikuar objektet dhe duke kuptuar sistemet natyrore si dhe ato të bëra nga njerëzit.  Natyralistët e shkathët e të aftë përfshijnë fermerët, botanistët, gjuetarët, ekologjistët, lulishtarët, dekoruesit, etj.

Nëse për një moment këto tetë inteligjenca i shohim si enë, sejcili nga ne nëpëmjet të të nxënit, studimit dhe përvojave të jetës i zmadhon këto enë duke i krijuar kështu mundësi vehtes të rrisë aftësitë individuale (pra të zhvillojë më tej sejcilën inteligjencë) për të kuptuar më mirë informacionet e dijet që merr, për të zgjidhur më mirë problemet që i dalin në jetë dhe të ngrejë, shtrojë e zgjidhë probleme të reja të cilat mundësojnë ecjen e individit dhe të shoqërisë përpara.
Këto tetë inteligjenca sigurojnë një pamje të kujdesëshme të kapaciteteve njerëzore dhe mendohet, nga shumë shkollarë, se përfaqësojnë teorinë rreth inteligjencës e cila sot shihet si më e pranuara në krahasim me teoritë e tjera.  Teoria pranon se çdo inteligjencë përmban një sërë nën inteligjenca.  P.sh. kemi nën inteligjenca brënda fushës së inteligjencës muzikore: atë për ekzekutimin e muzikës, të kënduarit, shkrimin e partiturave, dirigjimin, kritikën, si dhe të kënaqurit me muzikë.  Po kështu edhe me të gjitha inteligjencat e tjera.

Një aspekt tjetër i teorisë së Inteligjencave të Shumëfishta (IS) është se ato mund të konceptohen në tre kategori të gjëra.  Katër prej tyre: hapsinore, logjiko-matematike, trupore-lëvizore, dhe natyraliste mund të shihen si forma inteligjence të lidhura me objektin.  Këto aftësi (inteligjenca) janë të kontrolluara dhe marrin formë/modelohen nga objektet të cilat individët i ndeshin në jetën e tyre.  Nga ana tjetër inteligjencat pa objekte, që konsistojnë nga ajo gjuhësore-verbale dhe muzikore, nuk marrin formë nga bota fizike por janë të varura nga sistemet gjuhësore dhe muzikore.  Kategoria e tretë konsiston nga inteligjenca të cilat lidhen me individin dhe përfshijnë inteligjencat ndërvehtiake e vehtiake duke reflektuar së bashku një bashkësi të fuqishme të kundërbalancave.

Çdo inteligjencë duket që të këtë vazhdimësinë e saj të zhvillimit duke lindur dhe lulëzuar në kohë të ndryshme të jetës.  Inteligjenca muzikore është më e hershmja formë e dhuntisë njerëzore që lind; ende është një enigmë se përse është kështu.  Mendohet se shkëlqimi i një fëmije në muzikë mund të jetë i kushtëzuar nga fakti se kjo inteligjencë nuk është e kushtëzuar nga përvoja jetësore.  Nga ana tjetër inteligjencat e tjera (p.sh. ajo vehtiake) kërkojnë ndërveprime të shumta me të tjerat dhe fidbek (prapaveprime të tilla si këshilla, sygjerime, përgjigje) prej të tjerëve, përpara se të arrijnë të zhvillohen të paktën në masë të kënaqëshme.
Çdo inteligjencë mund të pëdoret për qëllime të mira e të këqia: Goebbles (anëtar i stafit të Hitlerit) dhe Gand’hi (udhëheqës popullor i Indisë koloniale) kishin që të dy inteligjenca ndërvehtiake mjaft të zhvilluara, por ata i zbatuan ato në mënyra dramatikisht të ndryshme.  Gjithashtu, mendoni për një moment se sa shumë të burgosur ka në çdo shoqëri njerëzore, të cilët kanë aftësi intelektuale të dalluara por që i kanë përdorur ato aftësi në kundërshtim me normat dhe moralin shoqëror.  Mënyra e përdorimit të inteligjencës së individit në shoqëri është një çështje morale e një rëndësije të veçantë.  Çdo i rritur, educator apo prind, ka vetëdije të mjaftueshme për të drejtuar inteligjencat në kahje positive; ndërsa çdo prind ka një rrol të veçantë e të dorës së parë për të drejtuar inteligjencat e fëmijës së vet kah normat pozitive dhe morali i shëndoshë shoqëror.

Shumica dërmuese e njerëzve shkëlqejnë në një ose dy inteligjenca.  Jo të gjitha qëniet njerëzore do të bëhen artistë të mëdhenj, ose muzikantë, ose shkrimtarë, ose biznesmenë, etj. të famshëm.  Porse çdo jetë njerëzore do të pasurohet nëpëmjet edukimit të të gjitha formave të inteligjencës në masën më të madhe të mundëshme.  Kur individët mundësohen të nxënë dhe të studjojnë nëpëmjet anëve të tyre të forta, tek ta do të çfaqen ndryshime të papritura dhe pozitive njohëse, emocionale, sociale e madje edhe fizike.  Andaj ka rëndësi të vëçantë, sidomos për maturantët që do futen në studime universitare, që të njihen prej tyre inteligjencat ma të zhvilluara që kanë.
Tetë inteligjencat nuk janë kategori të fiksuara.  Kjo ndër të tjera d.m.th. se inteligjenca e një personi nuk mund të matet me anë të ndonjë testi, sikundër rëndom ka qenë praktikë në dhjetëvjeçarët e kaluar.  Të gjithë njerëzit i zotërojnë të tetë inteligjencat, i përdorin ato në situara e rrethana të ndryshme dhe mund të zhvillojnë më tej cilëndo prej tyre.  Më e shumta e njerëzve, e përsëris, demonstrojnë arritje të veçanta që lidhen me një ose dy inteligjenca.  Në rrjeshtat në vijonë do tregohet se si mund ta mësoni këtë për vehten tuaj.

Treguesi i inteligjencave të shumëfishta për të rriturit

Më lart treguam se çdokush i ka të zhvilluara (në masë të ndryshme) të tetë inteligjencat dhe të gjitha këto inteligjenca janë të tilla që mund tu zhvillohen më tej, veçanërisht tek fëmijët.  Fëmijët janë në proces, mjaft më të herëshëm se të rriturit, të zhvillimit të këtyre inteligjencave.  Me të rriturit është disi më ndryshe: megjithëse edhe me të rriturit çdo njëra nga inteligjencat është gjithnjë në zhvillim, ato njëherësh janë mjaft më të stabilizuara/formuara se tek fëmijët.  Ky fakt mundëson që për të rriturit të mund të krijojmë një ide më të saktë për nivelin e zhvillimit të inteligjencave.  Më poshtë jepet një treguesi i IS (Inteligjencave të Shumëfishta) për të rriturit.  Ky tregues po u paraqitet si një instrument vetë përshkrues i menduar për tu ndihmuar që të identifikoni profilin tuaj personal në termat e këtyre inteligjencave dhe për të kuptuar se cilat janë ato në të cilat jeni më i/e avancuar (më i/e aftë) dhe ato në të cilat jeni më dobët.

Treguesi i Inteligjencave të shumëfishta, (klikoni për të plotësuar treguesin IS)


lexoni më shumë >>


 

 

 

Mbështetur nga: Banka Botërore  

Login





Regjistrohu



Lajmet e fundit


Zyra e Bankës Botërore bën thirrje për projekte në kuadrin e Fondit për
Shoqërine Civile për 2008

Fondacioni Soros bën thirrje për projekte në kuadrin e Programit te Granteve te Vogla / afati deri me 28 shkurt 2008

- "Për ç'farë të studioj ?" -
Artikull nga Prof. Aleksandër Bojaxhi

- Organizimi i Komunitetit Nëpërmjet Kuvendit të Lagjes -

- Panairi i Ideve Rinore -

- Projekti Italo-Shqiptar NAP -




Apliko Tani



Klipi



World Bank Logo

EKO LEVIZJA

LEVIZJA MJAFT

FONDACIONI MJAFT

KESHILLI BRITANIK

PROGRAMI I ALTERNATIVAVE SOCIALE
STIMULUESE

QEVERIA STUDENTORE SHQIPTARE

KESHILLI RINOR SHQIPTAR

PARLAMENTI RINOR SHQIPTAR

ONE WORLD SOUTHEAST EUROPE

SEE EDC INFO

AERONAUTIKA SHQIPTARE

ALBANIAN NAUTICAL CLUB