 |
Historia e kësaj faqeje është e thjeshtë. Sa herë që trokisnim dyerve gjatë Aksioneve tona në Lagje, mendonim se sa mirë do të ishte sikkur të ishim më shume, të trokisnim të gjithë njëherësh në dyert e apartamenteve, në mënyrë që komshiu i katit të tretë të mos e kishte mundësinë të merrte vesh më përpara për aksionin e të shtunës nga biseda me komshiun e katit të dytë, e të mos na e hapte derën. Kështu në 5 Qershor të 2004-s, u mblodhëm shumë. Vërshuam lagjeve të Tiranës, pastruam ç’mundëm dhe u kthyem në kampin tonë në Dajt. Dhe ç’të shihje..?! Një ushtri vullnetarësh të etur për aksione të tjera, që ju lexohej në fytyra pyetja: Por tani, ç’farë do bëjmë ?
E pra, qëllimi i kësaj faqeje është që të nxisim njëri-tjetrin për Ide dhe Aksione të reja, në mënyrë që së bashku të ndihmojmë për të krijuar një Komunitet më të mirë në lagjen tonë. Eshtë e vërtetë që nuk po shohim më frymë komuniteti në lagjet tona, nuk po shohim më mjedise të qeta e çlodhëse, por fatkeqësisht nuk po shohim më as njerëz që t'i kërkojnë dhe të bëjne diçka për t'i pasur këto gjëra të bukura e të thjeshta të jetesës tonë. Si të rinj, ne kemi të drejtat dhe përgjegjësitë tona për t’i ndryshuar gjërat negative, kemi forcën dhe energjinë e nevojshme për t’i përmirësuar ato, kemi besimin dhe dëshirën për nje të ardhme më të mirë, e së fundi mundësinë për të vepruar konkretisht nëpërmjet Projektit Qytetar Rinor.
Nëse keni një ide, kjo është Faqja Juaj, nëse keni një plan, këtu mund ta konkretizoni dhe nëse kërkoni më shumë, thjesht na shkruani.!!! Projekti Qytetar nuk është nje Faqe në pritje të Ideve, por një ide për realizimin e tyre. Pas kësaj Ideje janë po prapë të rinj të gatshëm për të ndihmuar në idenë tënde dhe per t'u bashkuar në Aksione Vullnetare.
Projekti Qytetar
Ened Mato
e-mail : info@projektiqytetar.com
|